Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, sot mori pjesë në takimin e grupit punues të Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit nr. 11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, dhe Projektligjit nr. 11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr.08/L-249.
Gjatë takimit, anëtarët e grupit punues, përfaqësues të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, partnerë ndërkombëtarë dhe të shoqërisë civile, trajtuan çështje të rëndësishme mbi këto dy projektligje, me fokus të veçantë në dispozitat që reformojnë Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Në këtë kontekst, Zëvendësministri Nimoni ritheksoi se ndër risitë kryesore të këtij projektligji kanë të bëjnë me sigurimin e balancimit më të madh në përbërjen e Këshillit, krijimin dhe avancimin e mekanizmave të inspektimit dhe verifikimit, vlerësimin e performancës dhe forcimin e përgjegjësisë disiplinore.
Tutje, Zëvendësministri Nimoni nënvizoi se këto dy projektligje, si pjesë e Pakosë së Ligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, përbëjnë një hap të rëndësishëm në avancimin e reformës në drejtësi. Ai tha se ky proces është mbështetur në ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë opinionet e Komisionit të Venecias dhe konsultimet gjithëpërfshirëse me akterët relevant.
Ministria e Drejtësisë mbetet e palëkundur në finalizimin dhe jetësimin e kësaj reforme, në funksion të ndërtimit të një sistemi të drejtësisë të bazuar në profesionalizëm, integritet, efikasitet dhe llogaridhënie.