Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, sot ka marrë pjesë në prezantimin e të gjetjeve të raportit lidhur me Anketën Rajonale për Drejtësinë 2025 për Kosovën, të realizuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të implementuar nga Banka Botërore.
Në adresimin e tij, Zëvendësministri Nimoni theksoi rëndësinë e raportit për institucionet e drejtësisë, duke vlerësuar se gjetjet pasqyrojnë gjendjen e sektorit të drejtësisë dhe perceptimin e qytetarëve ndaj tij.
Tutje, ai theksoi se raporti dëshmon se reformat në drejtësi po perceptohen pozitivisht dhe po ecin në drejtimin e duhur. Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë, në vitet e fundit, ka ndërmarrë hapa konkretë në reformimin e sektorit të drejtësisë, në veçanti përmes reformave tashmë të jetësuara në Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilat po gjejnë zbatim të suksesshëm, por edhe përmes reformave të tjera, duke përfshirë edhe paketën e ligjeve në kuadër të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit.
Në kuadër të raportit, vend të veçantë zënë rezultatet e implementimit të reformave, ku gjetjet tregojnë se reformat tashmë po japin rezultate të prekshme dhe po vlerësohen pozitivisht nga qytetarët, bizneset si dhe nga vetë akterët e sistemit të drejtësisë.
Në këtë drejtim sipas Raportit, 82% e gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor si dhe 74% e prokurorëve vlerësojnë se reformat janë në drejtimin e duhur, 66% e avokatëve dhe bizneseve shprehen pozitivisht, ndërsa edhe te qytetarët dominojnë perceptimet pozitive me, 55%.
Nimoni falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm në avancimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Në përmbyllje, Zëvendësministri Nimoni ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për vazhdimin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit për një sistem të drejtë dhe profesional, me integritet dhe të besueshëm, i cili është në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës