Sot, në ambientet e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, u mbajt takimi përmes platformës online mes Ministrisë së Drejtësisë dhe përfaqësuesve të Komisionit të Venecias, ku temë qendrore e diskutimit ishte draft-opinion i radhës për Projektligjin mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Në këtë takim, Ministrinë e Drejtësisë e përfaqësoi Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Vigan Qorrolli, shefi i Kabinetit dhe Këshilltari i Lartë, Genc Nimoni, drejtori i Departamentit Ligjor, Lulzim Beqiri, eksperti i jashtëm, Rinor Hoxha dhe dy zyrtaret e larta të Ministrisë, Lirikë Kamberi dhe Venera Maksuti ndërsa nga përfaqësuesit e Komisionit të Venecias nga Sekretariati ishin, Taras Pashuk, Jorgen Steen Sorensen – anëtar nga Danimarka, Hanna Suchocka – eksperte dhe Presidente Nderi, si dhe Janneke Gerards – anëtare nga Holanda.
Në fjalën e tij, zëvendësministri në detyrë, z. Qorrolli theksoi përkushtimin e Ministrisë për të çuar përpara reformën në sistemin prokurorial duke nënvizuar se reforma synon forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të prokurorisë në Republikën e Kosovës, si shtylla të domosdoshme për sundimin e ligjit dhe për besueshmërinë e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Gjatë takimit u prezantuan dhe diskutuan në mënyrë të detajuar aspektet kyçe të projektligjit, duke përfshirë procesin e hartimit, miratimit, sfidat dhe mundësitë që lidhen me zbatimin e tij.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë ritheksuan gatishmërinë për të adresuar çdo rekomandim shtesë të Komisionit të Venecias, në mënyrë që projektligji të jetë plotësisht në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.