
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli sot ka pritur studentët e programit Master Evropian në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA) në Venedik dhe Master i Arteve të Aplikuara në të Drejtat e Njeriut (UNI) në Vjenë, të cilët po qëndrojnë në Kosovë së bashku me profesoreshën Marijana Grandits, bashkëthemeluese, Këshilltare dhe Ligjëruese e Lartë Akademike.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Qorrolli u tregoi studentëve për rezultatet e Ministrisë së Drejtësisë sa i përket reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit, reformës në drejtësinë penale civile dhe administrative, trajtimin e krimeve të luftës dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore.
Tutje zëvendësministri Qorrolli u ndal te hapat e ndërmarrë për Vetingun, miratimin e Ligjit për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, themelimin e Institutit për Krimet e Luftës, rritjen e buxhetit për strehimoret dhe organizatat jo qeveritare që merren me shërbime sociale dhe familjare, fushatën “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” si dhe u diskutuan shumë çështje të tjera që ndërlidhen me sundimin e ligjit në Kosovë.
Zëvendësministri Qorrolli bashkëbisedoi me studentët për pyetjet e shumta ku ofroi përgjigje lidhur me mandatin e Ministrisë së Drejtësisë, dhe falënderoi ata për interesimin dhe vizitën e realizuar.