
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli tha se në vendet demokratike si Republika e Kosovës, dënimet alternative janë instrument i zakonshëm në sistemin e drejtësisë penale, andaj sipas tij “Ministria e Drejtësisë është e vendosur të sigurojë se të gjithë të dënuarit, që kanë të drejtë sipas ligjit, të kenë mundësi të përfitojnë nga programet dhe iniciativat që ndihmojnë në rikthimin e tyre në shoqëri, duke u dhënë një shans për të ndryshuar jetën e tyre dhe për të ndikuar në shoqërinë tonë pozitivisht”.
Tutje, zëvendësministri Qorrolli tha se qëllimi i dënimeve alternative është që ato ta ndihmojnë të dënuarin të rikthehet në shoqëri si një qytetar i dobishëm dhe kjo sipas tij kërkon angazhimin e vet të dënuarit si dhe institucioneve që ofrojnë mbështetje dhe ndihmë për ta.
“Është i domosdoshëm angazhimi ynë për t’u siguruar se të dënuarit që kërkojnë dënime alternative t’i kenë të gjitha mundësitë dhe burimet për të realizuar të drejtën e tyre, për të punuar dhe për të qenë pjesë e shoqërisë në mënyrë të dobishme”, tha zëvendësministri Qorrolli.
Krejt në fund, zëvendësministri Qorrolli tha se Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojmë së bashku me akterët relevantë, në përmirësimin e mekanizmit për lirimin me kusht të të dënuarve, si dhe në sigurimin që ky proces të jetë në përputhje me parimet dhe vlerat kushtetuese, por edhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Në këtë tryezë, të pranishëm ishin përfaqësues nga EUKOJUST, Shërbimi Korrektues dhe Shërbimi Sprovues i Kosovës si dhe përfaqësues nga sistemi i drejtësisë.