Skip to content
Zëvendësministri Qorrolli pjesë e panelit të diskutimin në Javën e Ndërmjetësimit

Zëvendësministri Qorrolli pjesë e panelit të diskutimin në Javën e Ndërmjetësimit

Prishtinë, 26/09/2023

Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli tha se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar që me ide dhe politika të mira, të përmirësojë qasjen në drejtësi për qytetarët dhe bizneset e Kosovës përmes ndërmjetësimit.

‘‘Qëllimi ynë është që përmes forcimit të institutit të ndërmjetësimit dhe promovimit të tij, t’i ftojmë qytetarët dhe bizneset që secilën herë që kanë mundësi, të provojnë të zgjidhin kontestet e tyre përmes ndërmjetësimit’’, tha zëvendësministri Qorrolli.

Në këtë drejtim, zëvendësministri Qorrolli tha se bizneset vendore, duhet ta përfshijnë ndërmjetësimin si metodë alternative të zgjidhjes së kontesteve gjatë negocimit të kontratave me partnerë ndërkombëtare meqë është forma më e shpejtë, më e lirë dhe më efikase në zgjidhjen e kontesteve.

Tutje, zëvendësministri Qorrolli tha se si qeveri me orientim social-demokrat, synojnë të implementojnë politika adekuate për të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe në këtë drejtim tha se: ‘’një nga ndryshimet që është planifikuar të bëhet në Ligjin për Ndërmjetësim është përjashtimi kategorive në nevojë dhe disa kategorive të tjera nga detyrimi për ta paguar tarifën e ndërmjetësimit’’.

Zëvendësministri Qorrolli tha se rreth 90% e rasteve në ndërmjetësim zgjidhen me sukses dhe sipas tij, Ministria e Drejtësisë gjithmonë është në bashkëpunim dhe koordinim institucional për avancimin e ndërmjetësimit.

Madje, sipas tij, Ministria e Drejtësisë përmes Strategjisë për Sundimin e Ligjit ka ndërmarr disa veprime dhe aktivitete që ndërlidhen me objektivat strategjike siç është krijimi i një mekanizimi në të cilin janë të përfshirë: Oda e Ndërmjetësuesve të Kosovës, Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Oda e Avokatëve.

Krejt në fund, zëvendësministri Qorrolli falënderoi bashkëpunëtorët e Ministrisë së Drejtësisë të cilët kanë mbështetur gjithnjë fushatat informuese lidhur me ndërmjetësimin.

Foto Galeria

Skip to content