Në këtë panel, ishte edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, anëtari i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi dhe Zëvendësprokurori i Shtetit, Agron Qalaj.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli tha se, korrupsioni është një fenomen global që pengon zhvillimin dhe nxitë pabarazinë e padrejtësinë, dhe si i tillë ndikon në buxhetin publik.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nëpërmjet politikave qeveritare është prioriteti absolut i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Tutje zëvendësministri Qorrolli ritheksoi vullnetin politik dhe kontributin e Ministrisë së Drejtësisë në forcimin dhe promovimin e kulturës së integritetit dhe institucioneve publike si dhe foli për reformat dhe të arriturat në sistemin e drejtësisë për të cilat tha se, “i japin besim popullit të Kosovës, që lufta kundër korrupsionit po bëhet”.
Më tej, ai i përgëzoi të gjithë ata që kanë zgjedhur ta luftojnë korrupsionin. Veçanërisht ata që e kanë zgjedhur optimizmin para pesimizmit dhe guximin para cinizmit – e të cilët njerëz janë heronjtë e vërtetë dhe kampionët epik të luftës në mënyrë konstruktive kundër korrupsionit. Zëvendëministri Qorrolli u shpreh se, “fitimi i kësaj lufte kundër korrupsionit është çelësi kyç për suksesin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.”
Në fund, z. Qorrolli falënderoi misionin e OSBE-së për Raportin, për të cilin tha që përveç të qenurit konkluziv dhe i rëndësishëm, si i tillë, ai do t’i shërbejë institucioneve ligj zbatuese.