Skip to content
Zëvendësministri Qorrolli takohet me Ambasadoren e Izraelit në Republikën e Kosovës, znj.Tammy Ziv

Zëvendësministri Qorrolli takohet me Ambasadoren e Izraelit në Republikën e Kosovës, znj.Tammy Ziv

Prishtinë, 12/12/2024

Në takim ishin edhe drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Drejtësisë, z. Lulzim Beqiri dhe z. Gazmend Çitaku.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e reformës gjithëpërfshirëse në sektorin e drejtësisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.

Zëvendësministri Qorrolli e vlerësoi këtë proces si një hap të rëndësishëm në përmbylljen e reformës, e cila duhet të realizohet në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, për të siguruar integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Gjithashtu, palët diskutuan për rëndësinë e vazhdimit të Reformës në sistemin e drejtësisë, ku përmendën edhe ndryshimet ligjore të bëra në kuadër të deklaratës së përbashkët të zotimit, si dhe si pjesë e procesit të Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit. U vlerësua mbështetja e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Komisionin e Venecias dhe raportet e Bashkimit Evropian, në forcimin e legjislacionit që kanë të bëjnë me mekanizmat e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe vlerësimin e performancës, llogaridhënies dhe transparencës në këtë sektor.

Një temë tjetër e rëndësishme që u diskutua ishte forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Palët e konsideruan këtë bashkëpunim si një faktor kyç në sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të dy vendet.

Në takim, u përmend gjithashtu dhe procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe Izraelit, një hap i rëndësishëm që do të hapë mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomik, arsimor dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen. Ky zhvillim është pritur me entuziazëm nga të dyja palët, të cilat e shohin si një mundësi për të forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet bilaterale.

Në fund, zëvendësministri Qorrolli vlerësoi kontributin e Izraelit në sistemin e drejtësisë, veçanërisht përmes ofrimit të mbështetjes në vendosjen në funksion të sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, i cili pritet të kontribuojë në uljen e dhunës në familje në Kosovë dhe forcimin e sigurisë dhe rendit.

Për të përmbyllur, të dyja palët ranë dakord për nevojën e vazhduar të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës dhe atij të Izraelit, me qëllim avancimin e reformave në sektorin e drejtësisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e të dy shteteve.

Skip to content