Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli gjatë Ministerialit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, ka mbajtur një takim bilaterale me Ministrin e Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me nënshkrimin e tri Marrëveshjeve në fushën e Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar mes dy shteteve.
Në takim, zëvendësministri Qorrolli potencoi rëndësinë e nënshkrimit të Marrëveshjeve: për Ekstradim, Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale si dhe Njohjen dhe Zbatimin e Vendimeve Gjyqësore në Çështjet Penale, duke thënë se këto marrëveshje janë një hap tutje në avancimin e thellimin e partneritetit dhe bashkëpunimit në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Zëvendësministri Qorrolli dhe Ministri i Drejtësisë së Malit të Zi, z. Bozhoviq diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit në fushat e ndryshme ligjore dhe administrative, përfshirë edhe bashkëpunimin në hetimin, ndjekjen dhe adresimin e krimeve që prekin të dy vendet dhe shkëmbimin e informacioneve për të parandaluar veprat penale.