Skip to content
Zëvendësministri Sallahu: Është shqetësuese trajtimi dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje

Zëvendësministri Sallahu: Është shqetësuese trajtimi dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje

Prishtinë, 17/11/2022

“ Ndër arsyet e sanksioneve të dhëna, dihet se është edhe parandalimi shoqëror i kryerjes së veprës penale dhe kësisoj dënimet ndaj fajtorëve duhet të shërbejnë si model dhe paralajmërim për moskryerje të veprës penale. Assesi nuk duhet të lejohet që dënimet e ulëta të shërbejnë si pretekst i kryerjes së veprave penale e të përmbyset qëllimi i dënimeve, duke u bërë antiproduktiv”, tha zv. Sallahu.

Sallahu ndër tjerash tha se është shqetësues numri i rasteve të dhunën gjatë këtij viti, mirëpo sipas tij më shqetësuese akoma është trajtimi dhe veprimet e institucioneve të drejtësisë për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje.

“ E edhe më shqetësuese, konsideroj se është fakti që nga 1725 personat e dyshuar për shkaktim të dhunës në familje, vetëm 682 persona janë arrestuar apo pothuajse 1/3 e tërësisë së të dyshuarve. Andaj, nga këtu, bëj thirrje për të gjithë akterët relevantë që ta rrisin seriozitetin e trajtimit të këtyre rasteve dhe veprimet t’i kenë pa asnjë kompromis për të dyshuarit që kryejnë veprën penale të dhunës në familje dhe të mundësojnë hetime profesionale e procedim solid të rastit”, deklaroi zv. Sallahu.

Zëvendësministri Sallahu kërkoi rritjen e efikasitetit nga Prokuroria në trajtimin e lëndëve për dhunë në familje

“ Po ashtu, duhet rritur edhe efikasiteti i punës, sepse për këta 8 muaj janar-gusht të këtij viti, ka rezultuar që ka një diferencë prej 70 lëndësh që kanë mbetur pa u trajtuar nga Prokuroria, përderisa janë pranuar 613 raste kurse janë marrë parasysh vetëm 543 prej tyre”, tha zv.ministri.

Ai shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për harmonizimin e akteve juridike, rritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje ndërsa njoftoi që për herë të parë nën patronatin e MD-së, do të organizohet fushata “ 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”.

“Krahas ndryshimeve të Kodit Penal që i ka iniciuar ministrja Haxhiu, kësaj radhe 16 ditët e aktivizmit do të jenë maksimalisht të pasura me aktivitete, evente dhe organizime të ndryshme, në mënyrë që përhapja e informacionit të jetë sa më e gjerë dhe në funksion të synimeve për sensibilizim të hapur dhe rritje të guximit për raportim e trajtim të fenomenit në përgjithësi”, deklaroi zv.ministri Sallahu.

Foto Galeria

Skip to content