Skip to content
Zëvendësministri Sallahu mori pjesë në diskutimin e Grupit Punues për hartimin e Koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile

Zëvendësministri Sallahu mori pjesë në diskutimin e Grupit Punues për hartimin e Koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile

Prishtinë, 13/07/2022

Duke përgëzuar anëtarët për kontributin në hartimin e këtij Koncept-dokumenti, në fjalën e tij, zëvendësministri Sallahu tha se nevojiten kredenciale të larta profesionale e përvojë e gjatë për t'u bërë pjesë e punimeve të këtij akti të rëndësishëm.

Sipas Zëvendësministrit të Drejtësisë, qëllimi i Kodit do të konsistojë në rritjen e efektshmërisë dhe standardizimit në sistemin e drejtësisë në domenin civil, nëpërmjet rregullimeve procedurale si ato për shqyrtimin e ankimeve lidhur me vendimet për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor, vendimet mbi kompetencën për gjykimin e mosmarrëveshjes, zhvillimin e proceseve gjyqësore në mënyrë meritore dhe në afat sa më të shkurtër etj.

“Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Kosovës do të caktojë rregulla të detyrueshme, që do të jenë të njëjta e të barabarta lidhur me gjykimin e kontesteve civile e mosmarrëveshjeve të natyrave të tjera që do të përcaktohen e parashikohen në Kod apo në ligje të veçanta” u shpreh Sallahu.

Rregullat që ishin të organizuara në Ligjin për Procedurën Kontestimore, atë për Procedurën Jokontestimore dhe Ligjin për Procedurën Përmbarimore, së shpejti do të jenë të kodifikuara në një dokument të vetëm, që ndër të tjera do ta lehtësojë edhe punën e bartësve të organeve përbërëse të sistemit të drejtësisë.

Përmes këtij Kodi do të lehtësohet realizimi i të drejtave subjektive, civile dhe private të qytetarëve.

Zëvendësministri Sallahu u shpreh falënderues për mbështetësit e nismave të shumta të Ministrisë së Drejtësisë – Programit të Bashkimit Evropian në Fushën e Drejtësisë në Kosovë, Eukojust, të cilët janë përkujdesur në forma të ndryshme që puna jonë të jetë sa më cilësore dhe përmbajtjesore njëkohësisht.

Skip to content