Në fjalën hapëse të takimit, Zëvendësministri Sallahu fillimisht kërkoi mbështetje në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sallahu theksoi se Kosova brenda qeverisjes së re ka bërë shumë për intensifikimi e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe në lirinë e medias.
"Ndryshimi pozitiv që po përjetohet në Republikën e Kosovës është shumë evident si brenda vendit tonë, ashtu edhe jashtë tij, që po pasqyrohet vazhdimisht në raporte të organizatave kredibile ndërkombëtare, të specializuara në matjet dhe monitorimet që bëjnë. Në vlerësimin e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit, publikuar në janar të këtij viti dhe i përpiluar nga Transparency International kemi shënuar përmirësim rekord për 17 vende, brenda një viti të vetëm. Po ashtu, për këtë vit, në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, kemi bërë përparim për plot 17 vende, duke u radhitur më së miri ndonjëherë në fushën e lirisë së mediave. Kurse, para vetëm 5 ditësh, nga matjet e realizuara nga Fondacioni francez për Inovacion Politik, 89% e qytetarëve të anketuar në Kosovë kanë thënë se ndihen të lirë të shprehen lirshëm, duke u ranguar në vendin e parë në Evropë".
Po ashtu, Sallahu i falënderoi partnerët e shtetit tonë për mbështetjen e vazhdueshme që e kanë ofruar, duke shprehur interesin dhe gatishmërinë për thellim e zgjerim të marrëdhënieve aktuale.