
Për shkak të akuzave në rritje për korrupsion dhe në përputhje me të gjeturat në Raportin e komisionit të themeluar nga Ministria e Drejtësisë, të datës 21.08.2012, për lëshimet në menaxhim, Ministria e Drejtësisë në koordinim me Njësinë Korrektuese të EULEX-it, ka vendosur të zëvendësoje administratën e lartë të Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Si pjesë e këtyre veprimeve është shkarkuar Drejtori i Qendrës Korrektuese në Dubravë, z. Haki Maxharraj, ndërsa janë transferuar në Institucione tjera Korrektuese 2 Zëvendësdrejtorët dhe Udhëheqësi për siguri i kësaj qendre.
Në anën tjetër është formuar Ekipi profesional prej 5 anëtarëve, për menaxhim të përkohshëm të Qendrës Korrektuese në Dubravë, gjerë në emërimin e stafit të ri në bazë të konkursit, ku kryesuese e ekipit për menaxhimin e kësaj qendre është caktuar znj. Zyrafete Imeraj.
Me këtë rast, Njësia Korrektuese e EULEX-it, me stafin e vet profesional ka ofruar mbështetje për ekipin menaxherial në të gjitha fushat e veprimit në këtë Institucion, në përputhje me mandatin që ka dhe njëherit do të jenë pjesë e këtij ekipit.