
Në këtë ngjarje të rëndësishme i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e këtij angazhimi të përbashkët dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë për të luftuar fenomenin e dhunës me bazë gjinore:
“Duke luftuar dhunën, angazhohemi për lirinë. Duke fuqizuar gratë, forcojmë shoqërinë. Shpiejmë përpara barazinë dhe zhvillimin në shtetin tonë.
Kjo është beteja jonë. Jo vetëm e grave. Por e burrave dhe grave së bashku. Sepse një shoqëri e lirë nga dhuna është shoqëri më e fortë. Më e drejtë. Më njerëzore.”
Ministrja Haxhiu, theksoi përpjekjet konkrete të ndërmarra nga institucionet në adresimin e dhunës me bazë gjinore:
“Kjo fushatë nuk është thjesht një periudhë simbolike, por një thirrje për veprim të pandërprerë dhe të palëkundur. Një thirrje për të shuar heshtjen që shpeshherë mbulon dhunën dhe për të krijuar një kulturë ku dhuna nuk tolerohet, por dënohet ashpër. Dhuna ndaj grave është dhunë ndaj gjithë shoqërisë, dhe ne jemi këtu për t’i dhënë fund kësaj.”
Fushata “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Familje” përfshin mbi 70 aktivitete ndërgjegjësuese që do të zhvillohen në mbarë vendin, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjes kolektive dhe institucionale dhe të forcohet përgjegjësia shoqërore në luftën kundër dhunës.