Zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, sot, ka zhvilluar një takim me Kahramon Sanginov, Udhëheqës i ekipit dhe menaxher i projektit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në takim, Nimoni shpalosi rezultatet e deritanishme në fushën e sundimit të ligjit, duke nënvizuar progresin në këtë fushë dhe në nismat e filluara reformuese.
Gjatë takimit, u diskutua për prioritetet tutje dhe fushat e përbashkëta të bashkëpunimit.
Në anën tjetër, z. Sanginov shpalosi planet e OSBE-së në mbështetje të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë, me fokus të veçantë në monitorimin e gjyqësorit dhe rolin e Kosovës në kuadër të këtij projekti që përfshinë vendet e regjionit.
Po ashtu, në takim u diskutua edhe për pakon e ligjeve reformuese si dhe për Planin e Rritjes në kuadër të Agjendës së Reformave, me theks në avancimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe përmbushjen e prioriteteve strategjike.
Zëvendësministri vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me OSBE-në, duke theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në institucionet e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.