Skip to content

Tarifat për përmbarim

Informata të përgjithshme
Sistemi i përmbarimit privat

Përmbaruesit privatë janë profesionistë ligjorë të emëruar nga Ministri i Drejtësisë për të kryer shërbime përmbarimore për territorin e caktuar të gjykatës themelore. Përmbaruesit janë jurista që duhet t’i përmbushin disa kushte specifike për tu emëruar si përmbarues privat dhe për t’i hapur zyrat e tyre të cilat duhet të jenë në vende të dukshme brenda territorit të gjykatës themelore për të cilën emërohen.

Me miratimin e Ligjit Nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore u krijiua baza ligjore për themelimin e profesionit të përmbaruesit privat, ku janë transferuar shumica e autorizimeve për përmbarim nga gjykatat te përmbaruesit privatë. Përmbaruesit e parë privatë kanë filluar ushtrimin e aktiviteteve të besuara me ligj në maj të vitit 2014, ndërsa aktualisht profesioni numron gjithsej 41 përmbarues që ofrojnë shërbime përmbarimore.

Megjithëse shumica e autorizimeve për përmbarim janë transferuar nga gjykatat te përmbaruesit privatë, gjykatat vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me punën e përmbaruesve privatë përmes zgjidhjes së mjeteve juridike ndaj vendimeve të përmbaruesve private si dhe autorizimeve tjera të caktuara me ligj. Përveç kësaj, gjykatat kanë mbetur kompetente për të vendosur dhe zbatuar përmbarimin në çështjet nga e drejta familjare si dhe lidhur me kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet tjera.

Sistemi i përmbarimit privat në Kosovë ekziston për t’i shërbyer interesit publik. Detyrimi i shtetit në mbrojtjen juridike të qytetarëve dhe bizneseve nuk përfundon vetëm me marrjen e vendimit por edhe në krijimin e mekanizmave ligjorë për t’i zbatuar drejtë dhe në kohë të arsyeshme ato vendime.

Sistemi i përmbarimit efektiv dhe efikas ka rëndësi jetike për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, pa të cilin vendimet gjyqësore dhe dokumentet tjera të përmbarueshme do të mbeteshin vetëm një copë letër. Dhënia e drejtësisë do të ishte iluzion nëse nuk garantohet zbatimi i saj.

Autorizimet e Odës

Oda e Përmbaruesve Privatë është themeluar më 22 janar 2015, në Kuvendin themelues të Odës, gjatë të cilit janë zgjedhur edhe organet e saj.

Oda e Përmbaruesve Privatë është organizatë profesionale e cila e ka statusin e personit juridik dhe punon si organizatë joprofitabile, në të cilën bashkohen të gjithë përmbaruesit privatë. Oda është organ i pavarur, vepron në nivel kombëtar për tërë territorin e Kosovës, dhe selia e saj është në Prishtinë.

Roli i Odës është të ruajë prestigjin, dinjitetin dhe të drejtat e profesionit të përmbaruesit privat, të përfaqësojë përmbaruesit para institucioneve publike dhe të bashkëpunojë me odat e shteteve tjera, të kujdeset që përmbaruesit të veprojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe në pajtim me ligjet, të kujdeset për avancimin profesional të përmbaruesve privatë si dhe nxjerr statutin, Kodin e Etikës dhe aktet tjera në pajtim me ligjin dhe statutin e Odës.

Për më shumë informacion për Odën, klikoni në linkun: http://opk-rks.org/

Autorizimet e Përmbaruesve

Përmbaruesit privatë janë të autorizuar që sipas propozimit të kreditorit të zbatojnë vendimet gjyqësore si dhe dokumenteve tjera jogjyqësore që kanë cilësinë e dokumenteve të përmbarueshme në pajtim me dispozitat ligjore përkatëse, ku debitori detyrohet të veprojë, të mos veprojë apo të paguajë borxhin në pajtim me vendimin.

Sipas Ligjit për procedurën përmbarimore, përmbaruesi privat në procedurën e caktimit dhe të zbatimit të përmbarimit ka këto autorizime:

  • nxjerrë urdhër për përmbarim dhe zbaton përmbarimin në pajtim me autorizimet e tij;
  • pranon dhe vepron sipas propozimeve për përmbarim të kërkesave dhe të propozimeve për zbatim të përmbarimit, si dhe cakton mënyrën e përmbarimit nëse kreditori nuk e ka caktuar në propozim;
  • të dorëzojë urdhra, akte, dhe shkresa;
  • të identifikojë palët dhe pjesëmarrësit në procedurën përmbarimore;
  • të mbledh të dhëna për gjendjen pasurore të debitorit;
  • të nxjerr konkluzione, përpilojë procesverbale, kërkesa dhe të dhëna tjera zyrtare në pajtim me autorizimet e parashikuara me këtë ligj;
  • të kryejë regjistrimin, vlerësimin e pronës, sekuestrimin dhe shitjen e pasurisë së luajtshme dhe të drejtave mbi pasurinë e paluajtshme;
  • të pranojë dhe ruajë pasurinë e regjistruar dhe të siguruar të debitorit, urdhërojë transferin e pronësisë dhe kryejë ndarjen e pasurisë dhe mjetet tjera monetare të realizuara me shitjen e pasurisë;
  • të kryejë zhvendosjen dhe veprimet tjera përmbarimore për qëllime të përmbarimit në pajtim me këtë ligj dhe aktet nënligjore;
  • sipas kërkesës së debitorit apo kreditorit, përmbaruesi privat ndërmjetëson ndërmjet tyre për qëllime të arritjes së marrëveshjes;
  • të pranojë dhe transferoj mjete monetare në pajtim me këtë ligj;
  • të mbajë evidence të rasteve në të cilat ai vepron në pajtim me formën e përcaktuar nga Ministri;
  • të ndërmarrë veprime të tjera siç parashikohet me këtë ligj te nxjerra ne zbatim te këtij ligji.
Regjistri i përmbaruesve privat

Numri i përmbaruesve privatë përcaktohet nga Ministri i Drejtësisë në përputhje me dispozitat e Ligjit. Në përgjithësi, për territorin e një gjykate themelore, një pozitë për përmbarues privat caktohet për 25,000 banorë (neni 327 paragrafi 2 i LPP-së).

Numri i përgjithshëm i përmbaruesve që veprojnë në Republikën e Kosovës është 41, të cilët janë të emëruar për territorin e gjykatave themelore si në vijim:

  • 20 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Prishtinës
  • 3 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Gjilanit
  • 4 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Ferizajit
  • 4 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Prizrenit
  • 3 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Gjakovës
  • 5 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Pejës
  • 2 përmbarues në territorin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës
Licensimi
Licensimi

Procesi i licencimit të përmbaruesve privatë kalon nëpër disa faza dhe sipas rregullave strikte ligjore. Së pari kandidati i interesuar për përmbarues i cili i plotëson kushtet e parapara ligjore duhet të kalojë provimin për përmbarues, pastaj vjen faza e emërimit, dhënia e betimit para Ministrit të Drejtësisë dhe fillimi i punës në ditën që caktohet me vendim të Ministrit.

Provimi

Provimi për përmbaruesit privat organizohet nga Ministria e Drejtësisë. Kandidatët i shtrohën provimit me gojë dhe me shkrim para Komisionit për dhënien e provimit për përmbarues privat i cili emërohet nga Ministri i Drejtësisë. Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë.

Emërimi

Procesi i emërimit zbatohet nga Komisioni Vlerësues i emëruar nga Ministri i Drejtësisë. Komisioni përbëhet nga një gjyqtar i Gjykatës Supreme i emëruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës; dy përmbarues privat të emëruar nga Oda e Përmbaruesve Privatë; një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë i cili ka së paku dhjetë (10) vite përvojë në fushën e drejtësisë; dhe një profesor i së drejtës civile.

Për t’u emëruar përmbarues privat, kandidati-ja duhet të plotësojë kushtet si në vijim:

  • të jetë shtetas/e i/e Republikës së Kosovës;
  • të ketë zotësi të plotë për të vepruar, dhe duhet të jetë i/e aftë në aspektin shëndetësor;
  • të jetë jurist/ei/e diplomuar në fakultetin juridik, apo të ndonjë fakulteti juridik të ndonjë vendi tjetër, pas nostrifikimit të diplomës në Republikën e Kosovës;
  • të ketë të kryer provimin e jurisprudencës;
  • të ketë së paku tri (3) vjet përvojë pune juridike;
  • të ketë dhënë provimin për përmbarues;
  • që kundër tij/saj nuk zhvillohet procedurë hetimore për vepër penale, përkatësisht që nuk është i/e dënuar për vepër penale me dënim me burg e cila vepër është e dënueshme më së paku gjashte (6) muaj, apo për vepër penale e cila e bënë të padenjë në ushtrimin e punës së përmbaruesit;
  • të paraqes deklaratë te noteri për gjendjen e tij/saj materiale, me të gjitha pasojat nga dhënia e deklaratës së

Këtu mund të gjeni vendimet e nënshkruara nga Ministri i Drejtësisë për emërimin e përmbaruesve privatë

Dhënia e betimit

Personi i emëruar si përmbarues privat e jep betimin para Ministrit, në afat prej tridhjetë ditësh nga dita e emërimit.

Fillimi punës

Kandidati për përmbarues privat në afat prej gjashtëdhjetë ditëve nga dhënia e betimit, duhet t’i dorëzojë në Ministri dëshmitë se i ka plotësuar kushtet e parapara me ligj për fillimin e punës.

Ditën e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së përmbaruesit privat e cakton Ministri dhe për këtë njoftohet përmbaruesi privat dhe Oda e Përmbaruesve Privatë.

 

Këtu mund të gjeni vendimet e Ministrit të Drejtësisë për fillimin e punës së përmbaruesve

Mbikëqyrja, kontrolli dhe vlerësimi
Mbikëqyrja dhe kontrolli

Për të siguruar mbikëqyrje më efektive të punës së përmbaruesve privatë, ligji ka paraparë mbikëqyrjen e dyfishtë. Institucionet për mbikëqyrjen e punës së përmbaruesve privatë janë:

  • Ministria e Drejtësisë dhe
  • Oda e Përmbaruesve Privatë

Mbikëqyrjen dhe kontrollin ndaj ligjshmërisë së punës së përmbaruesve privatë dhe të Odës e kryen Ministria e Drejtësisë përmes Departamentit për Mbikëqyrjen e Punës së Profesioneve të Lira si njësi e veçantë që vepron në kuadër të Ministrisë.

Mbikëqyrja bëhet sipas detyrës zyrtare çdo vit dhe sipas propozimit të:

  • Kryetarit të Gjykatës kompetente për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat,
  • Kryetarit të Odës, si dhe
  • Palëve dhe të pjesëmarrësve në procedure

Ndërsa Oda bën mbikëqyrjen dhe kontrollin ndaj ligjshmërisë së punës së përmbaruesve privatë të paktën një herë në vit dhe për këtë përgatit raport të cilin e dorëzon në Ministri.

Për informata më të hollësishme për Departamentin për Mbikëqyrjen e Punës së Profesioneve të Lira mund të klikoni në linkun:  https://md.rks-gov.net/page.aspx?id=1,163

Udhëzuesi për mbikëqyrjen e punës së përmbaruesve privatë

Vlerësimi i zbatimit të përmbarimit

Për të siguruar që vlerësimi për zbatimin e përmbarimit kryhet në vazhdimësi Ligji për procedurën përmbarimore ka paraparë themelimin e Komisionit Profesional për Vlerësimin e Përmbarimit Privat. Komisioni emërohet nga Ministri i Drejtësisë për një periudhë katër vjeçare.

Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë dhe zëvendësit e tyre: dy gjyqtarë nga gjykata themelore, një anëtar nga Gjykata e Apelit, një anëtar nga Gjykata Supreme, një anëtar nga Këshilli Gjyqësor: një anëtar nga Fakulteti Juridik: një anëtar nga Ministria e Drejtësisë dhe zëvendësit e tyre.

Komisioni është i pavarur në punën e tij, ndërsa Departamenti për Profesione të Lira i ofron Komisionit mbështetjen e nevojshme adiministrative dhe teknike.

Procedura disiplinore
Informatë e përgjithshme për Komisionin Disiplinor

Përmbaruesit privatë sikurse edhe gjyqtarët kanë përgjegjësi disiplinore nëse me veprimet e tyre në ushtrimin e veprimtarisë përmbarimore shkelin dispozitat e ligjit për procedurën përmbarimore dhe të ligjeve tjera, nëse nuk i plotësojnë detyrimet e parapara me statut dhe me akte tjera të Odës, dhe nëse shkelin prestigjin e profesionit të përmbaruesit privat.

Për të konstatuar përgjegjësinë disiplinore të përmbaruesve privatë, kompetent është Komisioni Disiplinor i emëruar nga Ministri i Drejtësisë për një periudhë dy vjeçare me mundësi rizgjedhjeje. Komisioni Disiplinor përbëhet nga dy gjyqtarë të propozuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe një përmbarues privat i propozuar nga Oda e Përmbaruesve Privatë si dhe zëvendësuesit e tyre. Komisioni është i pavarur në punën e tij. Departamenti për Profesione të Lira i ofron Komisionit vetëm mbështetjen e nevojshme adiministrative dhe teknike.

Propozimin për fillimin e procedurës disiplinore mund ta paraqet Ministria dhe Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privatë, sipas detyrës zyrtare apo bazuar në ankesat dhe iniciativat e palëve në procedurë, të përfaqësuesve të palëve dhe të autorizuarve të tyre. Ndërsa në bazë të ankesave dhe iniciativave të palëve, propozimin për fillimin e procedurës disiplinore mund ta paraqes edhe kryetari i gjykatës për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat.

Nëse përmbaruesi shpallet përgjegjes për shkeljet e pretenduara atëherë procesi disiplinor mund të rezultojë në dhënien e vërejtjes, vërejtjes publike, gjobës në të holla, pezullimin e veprimtarisë përmbarimore për kohë të caktuar apo edhe deri në heqjen e licencës së përmbaruesit privat.

Orari i seancave disiplinore

Seancat e Komisionit Disiplinor janë të hapura për publikun. Si rregull seancat dëgjimore mbahen në Ministrinë e Drejtësisë, mirëpo me propozimin e palëve dhe/ose pajtimin e tyre, Komisioni mund të mbajë seancat dëgjimore edhe online.

Vendimet e Komisionit Disiplinor

Vendimet e Komisionit Disiplinor janë përfundimtare. Palët e pakënaqura me vendimin e Komisionit Disiplinor mund të paraqesin padi për fillimin e kontestit administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative.

Vendimet e Komisionit publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë dhe të Odës.

Vendimet e Komisionit Disiplinor mund t’i gjeni këtu: 

Statistika të vendimeve disiplinore
Raportet e punës së përmbaruesve privat
Raportet vjetore

Përmbaruesit privatë janë të obliguar që çdo vit të raportojnë për punën e tyre në Ministri të Drejtësisë për të dhënat e përcaktuara në ligj.

Të dhënat nga raportet vjetore publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Odës. Këtu mund të gjeni raportet e përmbaruesit privat.

Raportet vjetore të përmbaruesve privatë

Legjislacioni
Legjislacioni ndërkombëtar
Legjislacioni kombëtar

Ligjet

Aktet nënligjore

Vendime

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 26 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 25 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 24 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 23 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 22 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 21 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 20 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 19 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 17 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 16 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 15 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 14 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 13 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 12 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 11 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 10 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 09 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 08 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 07 2022

Vendim i KDPP-se DPL. nr. 05 2022

Vendim i KDPP -se DPL. nr. 18 2022

Ankesa
Formulari i ankesës

Këtu mund të gjeni formularin e ankesës të cilin mund ta përdorni për të raportuar shkeljet dhe sjelljet joetike të përmbaruesit privat. Palët nuk janë të lidhura për formularin e publikuar.

Ankesa paraqitet me shkrim dhe dorëzohet në Ministrinë e Drejtësisë apo në formë elektronike dhe dorëzohet në: dnpp.md@rks-gov.net

Shkarko formularin e ankesës

 

Pyetjet e shpeshta
I.SISTEMI I PËRMBARIMIT NË KOSOVË

Çfarë sistemi të përmbarimit ka Republika e Kosovës?

Në Kosovë, ekziston sistem i kombinuar i përmbarimit, ku përmbaruesve privatë iu është besuar me ligj përmbarimi i të gjitha çështjeve ndërsa gjykatat kanë mbetur kompetente për përmbarimin e vendimeve gjyqësore në çështjet nga e drejta familjare si dhe kthimin e punëtorëve dhe shërbyesve civilë në punë dhe kompensimet tjera.

Kur ka filluar përmbarimi privat në Kosovë?

Përmbarimi gjyqësor ka qenë vetëm kompetencë e gjykatës deri në maj të vitit 2014 kur edhe filluan punën përmbaruesit e parë privatë. Sidoqoftë, me ndryshimet ligjore nga korriku i vitit 2014, këto kompetenca janë transferurar nga gjykatat te përmbaruesit (përveç rastet e çështjeve familjare dhe rasteve të kthimit të punëtorëve në punë).

Cili është roli i Ministrisë së Drejtësisë lidhur me përmbarimin privat?

Ministria e Drejtësisë është organi kompetent dhe përgjegjës për emërimin e përmbaruesve privatë, mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së tyre si dhe për procesin e disiplinimit të përmbaruesve privatë. Për më tepër, Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse të hartojë legjislacionin primar dhe të hartojë dhe miratojë legjislacionin sekondar për përmbarimin privat.

Cili është roli i Odës së Përmbaruesve Privatë?

Roli i Odës është që të ruajë prestigjin, dinjitetin dhe të drejtat e profesionit të përmbaruesit privat, të përfaqësojë përmbaruesit para institucioneve publike dhe të bashkëpunojë me odat e shteteve tjera, të kujdeset që përmbaruesit të veprojnë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe në pajtim me ligjet, të kujdeset për avancimin profesional të përmbaruesve privatë si dhe të nxjerr statutin, Kodin e Etikës dhe aktet tjera në pajtim me legjislacionin përkatës.

Cili është roli i Këshillit Gjyqësor lidhur me përmbarimin?

Megjithëse përmbarimi privat është profesion i lirë dhe i pavarur, roli i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) mbetet qenësor në sistemin e përmbarimit privat. Ligji për procedurën përmbarimore përcakton KGJK-në si hisedar kryesor dhe i ka dhënë rol aktiv duke filluar nga procesi i emërimit deri në procedurat disiplinore ndaj përmbaruesve. KGJK është e përfshirë në të gjitha komisionet që Ministri i Drejtësisë emëron lidhur me profesionin e përmbarimit privat dhe në proceset tjera duke propozuar anëtarë nga radhët e gjyqtarëve për Komisionin për Provimin për Përmbarues Privat, Komisionin Vlerësues për Emërim të Përmbaruesve, Komisionin për Vlerësimin Profesional të Përmbarimit dhe Komisionin Disiplinor.

Cili është roli i gjykatave në sistemin e përmbarimit privat?

Themelimi i sistemit të përmbarimit privat në Kosovë ka ndryshuar edhe rolin e gjykatave lidhur me përmbarimin në përgjithësi. Megjithëse përmbaruesit privatë janë të pavarur në punën e tyre, funksionalisht puna e tyre është e lidhur ngushtë me punën e gjykatave. Përmbaruesi privat emërohet nga Ministri i Drejtësisë për territorin e caktuar të gjykatës themelore, i cili pas dhënies së betimit, duhet të depozitojë nënshkrimin, inicialet e tij, mostrën e certifikuar të vulës dhe nënshkrimit të certifikuar në gjykatën themelore në territorin e të cilës është emëruar. Përveç kësaj kryetari i gjykatës themelore për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat vendos për përjashtimin e përmbaruesit nga procedura përkatëse kur plotësohen kushtet ligjore, pastaj gjykatat vendosin për caktimin e përfaqësuesit të përkohshëm të palës në procedurë përmbarimore, për vendosjen lidhur me prapësimin, ankesën, kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme, kërkesën për eliminimin e parregullsisë dhe procedurën e kundërpërmbarimit.

Për më tepër, ligji ka autorizuar kryetarin e gjykatës themelore që ndaj përmbaruesit privat të emëruar brenda territorit të asaj gjykate që sipas detyrës zyrtare të paraqes kërkesën për fillimin e procedurës së inspektimit ndaj përmbaruesit si dhe në bazë të ankesave të palëve dhe pjesëmarrësve në procedurë mund të paraqes propozimin për fillimin e procedurës disiplinore ndaj përmbaruesit privat.

Cili është roli i autoriteteve publike në sistemin e përmbarimit privat?

Autoritetet publike janë të obliguara sipas ligjit tu ofrojnë bashkëpunim dhe ndihmë përmbaruesve privatë në ushtrimin e autorizimeve të tyre të besuara me ligj. Të gjitha autoritetet publike e sidomos ato të cilat janë edhe mbajtës të regjistrave publikë që përmbajnë informata për identitetin, adresën, pasuritë dhe të ardhurat e debitorit janë të obliguara që të bashkëpunojnë dhe t’u ofrojnë të dhënat e nevojshme për përmbarimin e lëndëve të caktuara, përveç nëse me ligj të veçantë është ndaluar dhënia e informatave.

Në veçanti, organet e policisë janë të obliguara që të ofrojnë bashkëpunim të menjëhershëm kur përmbaruesi e konsideron të domosdoshme ndihmën e tyre në realizimin me sukses të veprimeve përmbarimore. Bashkëpunimi dhe mbështetja e përmbaruesit privat nga organet shtetërore dhe organizatat tjera e sidomos nga Policia e Kosovës, janë faktorë kyç për zbatimin me sukses të veprimeve përmbarimore.

Sa është numri i përmbaruesve privatë për territorit të një gjykate themelore?

Numri i përmbaruesve privat përcaktohet nga Ministri i Drejtësisë në përputhje me dispozitat e Ligjit të Procedurës Përmbarimore, i cili ka paraparë që një pozitë për përmbarues privat caktohet për 25,000 banorë për territorin e një gjykate themelore. Sipas Ligjit për procedurën përmbarimore, Ministri i Drejtësisë, varësisht nga nevoja ose me kërkesë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ose Odës së Përmbaruesve mund të vendosë për emërimin e më shumë përmbaruesve privatë. Aktualisht janë gjithsej 41 përmbarues privatë aktivë.

A mund të pushohet nga funksioni i tij përmbaruesi privat?

Funksioni i përmbaruesit privat pushon nëse paraqitet ndonjëra nga situatat si në vijim:

  • kur përmbaruesi e mbushë moshën shtatëdhjetë vjeçare;
  • në rast të dorëheqjes me shkrim;
  • në rast se me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës është dënuar për vepër penale në kohëzgjatje më shumë se gjashtë muaj burgim, apo për ndonjë vepër që e bënë të padenjë në ushtrimin e funksionit të përmbaruesit privat;
  • në rast se përmbaruesi privat nuk fillon punën e tij në përputhje me vendimin e Ministrit;
  • në rast të shkarkimit;
  • në rast të vdekjes;

Ministri nxjerr vendim për pushim e ushtrimit të funksionit të përmbaruesit privat nëse paraqitet ndonjëra nga arsyet e cekura më lartë, dhe për këtë Ministria njofton Odën dhe gjykatën kompetente në territorin e të cilës përmbaruesi privat ka pasur selinë. Me kërkesë të Ministrit përmbaruesi privat kryen shërbimet e përmbarimit gjatë tre muajve të ardhshëm derisa Ministri të nxjerr vendim për emërimin e përmbaruesit te ri privat apo zëvendësuesit të përmbaruesit privat.

A mundet përmbaruesi të jep dorëheqje nga funksioni i tij?

Përmbaruesi privat, mundet të kërkojë të lirohet nga detyra e tij përmes kërkesës me shkrim drejtuar Ministrit të Drejtësisë. Afati kohor për lirimin e përmbaruesit nga detyra është tre muaj. Në vendimin për lirim të përmbaruesit privat, Ministri cakton zëvendësuesin e përmbaruesit privat.

Kush e bën mbikëqyrjen dhe kontrollin e punës së përmbaruesit privat?

Për të siguruar një mbikëqyrje më efektive të punës së përmbaruesve privatë, ligji ka paraparë mbikëqyrjen e dyfishtë. Bazuar në Ligjin për procedurën përmbarimore, institucionet për mbikëqyrjen e punës së përmbaruesve privatë janë:

  • Ministria e Drejtësisë dhe
  • Oda e Përmbaruesve Privatë

A janë të obliguar të raportojnë për punën e tyre përmbaruesit privat?

Përmbaruesit privatë janë të obliguar që çdo vit të raportojnë për punën e tyre në Ministrinë e Drejtësisë. Raportet publikohen në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Odës së Përmbaruesve Privatë dhe minimalisht duhet të përmbajnë të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve të pranuara, numrin e përgjithshëm të lëndëve të zgjidhura, vlerën e kërkesave për përmbarim si dhe vlerën e borxheve të cilat i janë kthyer kreditorëve.

A kanë përgjegjësi disiplinore përmbaruesit privatë?

Përmbaruesit privatë sikurse edhe gjyqtarët kanë përgjegjësi disiplinore nëse me veprimet e tyre në ushtrimin e veprimtarisë përmbarimore shkelin dispozitat e ligjit për procedurën përmbarimore dhe të ligjeve tjera, nëse shkelin Kodin e Etikës, nëse nuk i plotësojnë detyrimet e parapara me Statut dhe me akte tjera të Odës dhe nëse shkelin prestigjin e profesionit të përmbaruesit privat.

Si fillohet procedura disiplinore ndaj përmbaruesve privatë?

Në bazë të Ligjit për procedurën përmbarimore (Neni 366), propozimin për fillimin disiplinore mund ta paraqesin:

Sipas detyrës zyrtare:

  • Ministria e Drejtësisë
  • Oda e Përmbaruesve Privatë

Sipas ankesave dhe iniciativave të palëve:

  • Ministria e Drejtësisë
  • Oda e Përmbaruesve Privatë
  • Kryetari i gjykatës themelore për territorin e së cilës është emëruar përmbaruesi privat

A mundet pala të kërkojë fillimin e procesit disiplinor ndaj përmbaruesit?

Po, pala mund të parashtrojë kërkesë drejtëpërdrejtë në Ministrinë e Drejtësisë për fillimin e procesit disiplinor ndaj përmbaruesit privat i cili e ka udhëhequr procedurën ku pala ka qenë pjesë. Paraqitja e propozimit bëhet brenda gjashtë muajve nga dita e shkeljes, por jo më vonë se një vit nga dita e shkeljes (neni 375 i LPP).

Cilat janë shkeljet disiplinore?

Ligji për procedurën përmbarimore ka përcaktuar shkeljet disiplinore si në vijim:

  • nëse përmbaruesi privat tejkalon autorizimet e besuara me këtë ligj;
  • nëse gjatë kryerjes së veprimeve në kuadër të aktivitetit të tij përmbaruesi privat nuk i përmbahet ligjit;
  • nëse përmbaruesi privat gjatë procesit të emërimit nuk ka zbuluar në mënyrë të qëllimshme pengesat ligjore të cilat janë kusht i emërimit të tij;
  • nëse përmbaruesi privat ka shkelur detyrat e parashikuara me këtë ligj duke rrezikuar besimin në paanshmërinë e tij dhe në veprimet të cilat ai i ndërmerr;
  • nëse përmbaruesi privat ndërmerr veprime në procedurë pavarësisht arsyeve për përjashtim;
  • nëse përmbaruesi privat shkel detyrën e mbajtjes së sekretit zyrtar;
  • nëse përmbaruesi privat kërkon kompensim më të lartë se sa ai i paraparë në tarifë;
  • nëse përmbaruesi privat pa shkaqe të arsyeshme refuzon aftësimin profesional;
  • nëse përmbaruesi privat nuk mban evidencat për lëndët e përmbarimit në të cilat ai punon apo evidencat e lëndëve në të cilat ai/ajo punon nuk janë në rregull;
  • shkelja e detyrave të përcaktuara me dispozitat tjera;
  • nëse përmbaruesi privat në pajtim me aktin e odës nuk e paguan anëtarësinë.

Cilat janë masat disiplinore që mund të shqiptohen ndaj përmbaruesit privat?

Përmbaruesit privat në procedurën e përcaktimit të përgjegjësisë disiplinore mund t’i shqiptohen vetëm masat disiplinore të cilat janë të parapara me ligj, të cilat janë si në vijim:

  • vërejtja
  • vërejtja publike
  • gjoba në të holla nga 500 EUR deri 3,000 EUR
  • ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej tre muaj deri në një vit
  • shkarkimi nga detyra

Cili është efekti i procesit disiplinor?

Nëse konstatohen shkeljet e pretenduara disiplinore, atëherë procesi disiplinor mund të rezultojë në shqiptimin e masës disiplinore ndaj përmbaruesit privat të paraparë në Ligjin për Procedurën Përmbarimore. Nëse përmbaruesi shpallet përgjegjës për shkeljet e pretenduara atëherë procesi disiplinor mund të rezultojë në dhënien e vërejtjes, vërejtjes publike, gjobës financiare, në pezullimin e veprimtarisë përmbarimore për kohë të caktuar apo edhe deri në heqjen e licencës së përmbaruesit privat.

Cilat janë mjetet juridike që mund t’i përdor pala kundër vendimit të Komisionit Disiplinor?

Vendimi i Komisionit Disiplinor është përfundimtar dhe nuk mund të paraqitet ankesë në Ministrinë e Drejtësisë, por pala e pakënaqur me vendimin e Komisionit Disiplinor mund të fillojë kontestin administrativ duke paraqitur padi në Departamentin për Çështje Administrative që vepron në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Cilat janë parimet e etikës që duhet t’u përmbahen përmbaruesit privatë?

Me Kodin e Përkohshëm të Etikës janë përcaktuar edhe parimet e etikës që duhet t’u përmbahen përmbaruesit privatë. Këto parime janë grumbulli i parimeve të miratuara sipas të cilave përmbaruesit privatë duhen të sillen në punën e tyre dhe në mënyrë konsekuente t’i respektojnë. Parimet janë në pajtim me parimet e miratuara në përgjithësi të etikës profesionale të përmbaruesve në Evropë dhe më gjerë ku është vendosur sistemi i përmbaruesve privatë.

Parimet themelore të etikës me të cilat në punë udhëheqin përmbaruesit privatë, zëvendësit dhe zëvendësuesi i përmbaruesit privat janë si në vijim:

  • Ligjshmëria
  • Pavarësia
  • Ndërgjeshmëria
  • Dinjiteti
  • Paanshmëria
  • Profesionalizmi
  • Detyrueshmëria dhe renditja për të vepruar
  • Papajtueshmëria
  • Puna publike
  • Karakteri i besueshëm i të dhënave
  • Konflikti i interesit
  • Shpenzimet e procedurës – kompensimi dhe shpërblimi për punë
  • Afarizmi financiar
II. PROCEDURA E PËRMBARIMIT

Çka është përmbarimi?

Përmbarimi është faza e fundit e procesit gjyqësor. Përmbarimi ndodh pas dështimit të debitorit në përmbushjen vullnetare të obligimit të tij. Procedura e përmbarimit përfshinë zbatimin e dhunshëm të aktgjykimit ose dokumenteve tjera të përmbarueshme gjyqësore dhe jo gjyqësore në pajtim me ligjin.

Si fillon procedura përmbarimore?

Procedura përmbarimore fillohet me paraqitjen e propozimit të kreditorit në zyren e përmbaruesit privat. Paraqitja e propozimit për përmbarim është mundësia e fundit që i ofrohet kreditorit për ta realizuar të drejtën e tij.

Cilat janë palët në procedurën përmbarimore?

Palët në procedurën përmbarimore janë kreditori dhe debitori. Kreditori është personi të cilit një person tjetër i ka borxh në të holla, ndonjë dhënie tjetër, veprim, mosveprim apo pësim; ndërsa debitori është personi i cili i ka borxh kreditorit në të holla, ndonjë dhënie tjetër, veprim, mosveprim apo pësim.

Kush janë personat e tretë në procedurën përmbarimore?

Përveç kreditorit dhe debitorit, pjesëmarrës në procedurën përmbarimore mund të jetë edhe personi i tretë. Kjo sepse, nganjëherë, disa lëndë i kanë të përfshirë edhe personat tjerë që nuk janë kreditori apo debitori, por kanë të drejta, detyrime apo interesa tjera në lëndën në fjalë.

Cila është baza juridike për caktimin e përmbarimit?

Përmbaruesi privat e cakton dhe e zbaton përmbarimin vetëm në bazë të dokumentit përmbarues ose dokumentit të besueshëm, kjo ngase këto janë dokumentet përmes të cilave vërtetohet se ekziston një detyrim i caktuar i cili duhet përmbushur.

Përderisa përmbarimi i dokumenteve përmbarimore ndodh pas përfundimit të një procedure qoftë gjyqësore, të ndërmjetësimit, arbitrazhit, apo procedure tjetër, përmbarimi i dokumenteve të besueshme mund të kërkohet menjëherë me maturimin e tyre.

Çka janë dokumentet përmbarimore dhe cilat janë ato?

Dokumentet përmbarimore janë forma kryesore e cila mund të përdoret si bazë për ta filluar procedurën përmbarimore. Për arsye se mosmarrëveshjet dhe kontestet civile shpesh na detyrojnë t’i drejtohemi gjykatës për t’i zgjidhur, mund të thuhet se dokumentet përmbaruese më të zakonshme dhe më të shpeshtat janë vendimet e gjykatës që ato marrin pas përfundimit të një procesi gjyqësor. Vendimet e gjykatës, megjithatë nuk janë fundi. Ato janë vetëm një copë letër e cila nëse nuk zbatohet efektivisht, nuk ia siguron palës të drejtat që i takojnë.

Për këtë arsye, hapi i radhës dhe pjesa përfundimtare e procesit është paraqitja e propozimit për përmbarim në bazë të atij vendimi. Një gjë që duhet pasur parasysh me vendimet e tilla, është që vendimi duhet ta ketë marrë formën e prerë. Kjo për arsye se në këtë mënyrë sigurohet që nuk ka asnjë mundësi për rigjykim dhe ndryshim të vendimit të tillë. Me marrjen e formës së prerë, vendimi mund të përdoret si bazë për paraqitje të propozimit për përmbarim.

Dokumentet përmbarimore në bazë të të cilave mund të fillohet procedura përmbarimore janë:

  • vendimi përmbarues i Gjykatës dhe ujdia (pajtimi) gjyqësore;
  • vendimi përmbarues i dhënë në procedurë administrative dhe aktpajtimi;
  • dokumenti noterial i përmbarueshëm në pajtim me ligjin për noterinë;
  • marrëveshja e lidhur në procedurën e ndërmjetësimit në pajtim me ligjin mbi ndërmjetësimin;
  • aktvendimet, aktet dhe memorandumet për ujditë gjyqësore të Gjykatave të huaja, si dhe vendimet e Gjykatave të huaja të arbitrazhit dhe ujditë e arritura para Gjykatave të tilla në raste të arbitrazhit, të cilat janë pranuar për përmbarim brenda territorit të Kosovës;
  • vendimet dhe marrëveshjet përmbaruese te arbitrazhit në Republikën e Kosovës, të shpallura të ekzekutueshme nga Gjykata;
  • kontrata për hipotekën e vërtetuar nga organi kompetent dhe regjistruar në regjistrin publik;
  • kontrata për pengun e regjistruar në regjistrin zyrtar të pengut;
  • vendimi gjyqësor i vërtetuar si urdhër përmbarues evropian;
  • dokumenti tjetër që me ligj është quajtur dokument përmbarues.

Çka janë dokumentet e besueshme dhe cilat janë ato?

Dokumentet e besueshme janë forma e dytë e cila mund të përdoret si bazë për ta filluar procedurën përmbarimore. Dokumenti i tillë më i njohur dhe më i përdorur në Kosovë është fatura. Paraqitja e propozimit për përmbarim në bazë të dokumentit të besueshëm nuk ka nevojë të kalojë përmes procedurës paraprake gjyqësore (apo procedurë tjetër) por mund të paraqitet menjëherë, kjo ngase mjafton që propozimit për përmbarim vetëm t’i bashkëngjitet dokumenti origjinal apo kopja e tij e vërtetuar e cila tregon kreditorin, debitorin, objektin, llojin, shumën dhe kohën e përmbushjes së detyrimit monetar.

Dokumentet e besueshme në bazë të të cilave mund të fillohet procedura përmbarimore janë:

  • faturat
  • kambialet dhe çeqet me protestë dhe faturë kthyese;
  • ekstraktet e verifikuara nga librat afarist për pagesat e shërbimeve komunale të furnizimit me ujë, energji elektrike, dhe bartjen e mbeturinave;
  • dokumentet që sipas dispozitave ligjore të posaçme kanë rëndësinë e dokumenteve publike.

Çka duhet të përmbajë propozimi për përmbarim?

Propozimi për përmbarim duhet ta përmbajë kërkesën për përmbarim në të cilën do të tregohet dokumenti përmbarimor apo i besueshëm në origjinal apo kopje e vërtetuar, kreditori dhe debitori, adresa e vendbanimit, vendqëndrimit, apo selisë afariste të kreditorit dhe të debitorit, kredia që kërkohet të realizohet, mjeti përmes të cilit duhet kryer përmbarimi si dhe objekti i përmbarimit nëse është i njohur.

Vlen të ceket që propozimi për përmbarim në bazë të dokumentit të besueshëm duhet të përmbajë edhe kërkesën që përmbaruesi privat ta detyrojë debitorin që brenda afatit prej shtatë ditësh për përmbushje vullnetare (ndërsa në kontestet nga raportet ku ekziston kambiali dhe çeku brenda afatit prej tre ditësh) nga dita në të cilën i dorëzohet urdhri për përmbarim ta përmbushë detyrimin bashkë me shpenzimet e caktuara.

A mundet kreditori ta tërheq propozimin për përmbarim?

Kreditori mund ta tërheqë propozimin në çdo fazë të përmbarimit dhe për këtë nuk ka nevojë të merret pëlqimi i debitorit. Propozimi për përmbarim mund të tërhiqet pjesërisht apo në tërësi dhe përmbarimi përfundohet pjesërisht apo në tërësi (në proporcion me tërheqjen).

Cili është afati për paraqitjen e propozimit për përmbarim (afati i parashkrimit të kërkesës)?

Nëse propozimi për përmbarim nuk paraqitet menjëherë pasi kërkesa bëhet e kërkueshme, sipas rregullit të përgjithshëm mund të paraqitet deri në afat prej pesë vitesh prej momentit kur kërkesa maturohet. Por sidoqoftë, varësisht nga rasti konkret, ky afat mund të ndryshojë dhe kjo është e përcaktuar në mënyrë më të detajuar në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve apo ligjin tjetër përkatës. Ky afat është ligjor dhe nuk mund të shkurtohet apo zgjatet nga palët me marrëveshje. Ky afat fillon të rrjedhë prej ditës së parë kur kreditori ka të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit nga debitori.

Kreditori në veçanti duhet të ketë kujdes në këtë drejtim sepse lëndët e vjetërsuara (parashkruara) mund të mos përmbarohen nëse ka kaluar afati i caktuar kohor, por vëmendjen për këtë mund ta tërheq vetëm debitori.

Çka mund të jetë objekt përmbarimi në procedurën përmbarimore?

Objekt përmbarimi janë pasuria dhe të drejtat tjera të debitorit që mund t’i nënshtrohen përmbarimit.

Çka nuk mund të jetë objekt përmbarimi në procedurën përmbarimore?

Ligji ka paraparë që objekt përmbarimi nuk mund të jenë: sendet jashtë qarkullimit juridik; pasuritë nëntokësore; pasuritë tjera natyrore; armatimi dhe pajisjet e forcave të armatosura të policisë, e as mjetet financiare të siguruara për dedikime të tilla.

Cilat janë sendet që përjashtohen nga përmbarimi?

Qëllimi kryesor i procedurës përmbarimore është realizimi i kërkesës së kreditorit, megjithatë realizimi i këtij qëllimi nuk guxon të vë në pyetje të drejtat, dinjitetin, ekzistencën ekonomike dhe sociale të debitorit. Prandaj ligji ka paraparë një sërë sendesh të cilat përjashtohen në tërësi nga përmbarimi:

  • veshjet, këpucët, ndërresat dhe gjësendet tjera personale, çarçafët, veglat e kuzhinës, orenditë, stufa, frigoriferi dhe objektet tjera me vlerë të zakonshme që shërbejnë për përmbushjen e nevojave themelore të familjes, nëse janë të nevojshme nga debitori dhe familjarët e tij;
  • kafshët e punës dhe mbarështimit, pajisjet bujqësore dhe mjetet tjera, farërat, ushqimi për kafshë, mjetet, makinat dhe objektet tjera që i duhen debitorit, bujkut apo zanatliut për vazhdimin e punës në bujqësi, respektivisht në kryerjen e aktivitetit të zanatit, të nevojshme për të fituar të ardhurat minimale të nevojshme për të mbajtur veten dhe familjarët e tij (përjashtimisht, kjo dispozitë nuk vlen për përmbarim të realizimit të kërkesave monetare të bankave, në bazë të huave specifike për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, respektivisht zanatit, me kusht që ky qëllim është deklaruar në mënyrë të veçantë në kontratën për hua);
  • Librat dhe objektet tjera që janë të nevojshme nga debitori që në mënyrë të pavarur dhe me punë personale të kryejë një aktivitet shkencor, artistik apo aktivitet tjetër profesional;
  • të hollat e gatshme të debitorit i cili ka të hyra mujore të përhershme deri në shumën mujore që sipas ligjit përjashtohet nga përmbarimi e proporcionalisht me afatin kohor deri në pagesën e ardhshme;
  • Dekorimet, medaljet, certifikatat ushtarake të nderit apo dekoratat tjera të debitorit për vlerësimin e nderit, unazën e martesës, letrat personale, manuskriptet apo dokumentet tjera personale që i përkasin debitorit si dhe fotografitë e familjes;
  • Mjetet mjekësore që i jepen personave me aftësi të kufizuara apo personave tjerë me paaftësi fizike në pajtim me rregulloret, apo që ai ka përvetësuar personalisht dhe që janë të domosdoshme për kryerjen e funksioneve jetësore;
  • Të ardhurat në bazë të ndihmës sociale (nuk përjashtohen nga përmbarimi të ardhurat e debitorit në bazë të ndihmës sociale, nëse ato janë lënë peng me vullnetin e debitorit në bazë marrëveshjes).

A mund të kufizohen mjetet dhe objektet e përmbarimit?

Për të mbrojtur dinjitetin e debitorit dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi ekonomik, ligji ka paraparë një sërë kufizimesh në mjetet dhe objektet e përmbarimit. Kufizimet e tilla kryesisht vijnë në shprehje kur është në pyetje realizimi i kërkesës në të holla.

Kufizimet në mjetet dhe objektin e përmbarimit të parapara në ligj, janë si në vijim:

  • Përmbarimi në të ardhurat personale, për shpërblimin në vend të pagës dhe për pensionin, mund të caktohet dhe zbatohet deri në gjysmën e lartësisë së tyre. Shuma që sekuestrohet do të kufizohet në pjesën që tejkalon shumën e ndihmës më të lartë sociale që paguhet brenda territorit ku debitori ka vendbanimin.
  • Përmbarimi për fitimin e garantuar i cili i takon debitorit në procedurën e përmbarimit, në bazë të kontratës kolektive dhe ligjit, mund të caktohet dhe zbatohet vetëm deri në një të tretën (1/3) e sasisë së tij.
  • Dispozitat e paragrafit të dytë zbatohen edhe në rast të përmbarimit për të ardhurat në bazë të shpërblimit për shkak të dëmtimit të trupit sipas dispozitave për sigurimin invalidor, për të ardhurat në bazë të papunësisë së përkohshme, për të ardhurat në bazë të shtesave për fëmijë, për të ardhurat në bazë të bursës studentore dhe ndihmës studentëve dhe nxënësve, si dhe për të ardhurat nga puna e personave të dënuar me burgim.
  • Përmbarimi për të ardhurat në bazë të kontratës për ushqimin e përjetshëm dhe për rentën përjetshme, si dhe për të ardhurat në bazë të kontratës për sigurimin e jetës, mund të zbatohet vetëm në atë pjesë që e tejkalon shumën e ndihmës më të lartë të përhershme sociale që paguhet në territorin ku debitori vendbanimin e vet.
  • Përmbarimi për të ardhurat e invalidëve të luftës, dhe ato në bazë të shtesës invalidore, mund të zbatohet vetëm për përmbushjen e kredive në bazë të ushqimit ligjor, shpërblimit të dëmit të krijuar për shkak të humbjes së aftësisë për punë dhe shpërblimit të dëmit për humbjen e ushqimit për shkak të vdekjes së dhënies të ushqimit, deri në shumën e gjysmës së këtyre të ardhurave.

A mund të shtyhet përmbarimi?

Shtyrja e përmbarimit është mjaft e kufizuar me qëllim që përmbarimi të mos zvarritet pa arsye dhe që palët të mos i keqpërdorin të drejtat e tyre ligjore që tjetrit t’i shkaktojnë dëm të panevojshëm. Sipas ligjit, janë përcaktuar vetëm situatat konkrete kur mund të lejohet shtyrja e përmbarimit dhe atë sipas kërkesës së kreditorit para fillimit të zbatimit të përmbarimit dhe debitorit apo personit të tretë nëse këta dy të fundit provojnë se zbatimi i përmbarimit do t’u shkaktoj dëm të pariparueshëm. Shtyrja mund të lejohet edhe në bazë të garancionit të deponuar nga debitori.

Përmbarimi shtyhet deri në gjashtë muaj, përveç në rastet kur palët merren vesh për pagesën e borxhit në këste. Në këtë rast përmbarimi shtyhet deri në kohën kur kreditori njofton organin përmbarues se debitori nuk e respekton marrëveshjen dhe kërkon vazhdimin e përmbarimit.

Kur ndërprehet përmbarimi?

Natyra e procedurës përmbarimore është urgjente dhe ligji nuk ka paraparë ndërprerjen e procedurës. Por procedura mund të ndërprehet nëse ndonjëra nga palët vdes gjatë procedurës, andaj ligji e ka rregulluar.

III. SHPENZIMET E PËRMBARIMIT

Kush i rregullon tarifat e përmbaruesve privatë?

Tarifat për përmbaruesit privatë janë paraparë në Ligjin Nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore dhe Ligjin Nr. 05/L-118 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L139 për procedurën përmbarimore.

Ndërsa lartësia e tarifave të shërbimit të përmbarimit privat rregullohet me Udhëzimin Administrativ MD-Nr.06/2014 për tarifat për shpërblimet dhe kompensimin e shpenzimeve për përmbaruesit privat, të nxjerr nga Ministria e Drejtësisë. Me këtë udhëzim janë të parapara tri lloje të tarifave:

  • Tarifa për administrimin e lëndës
  • Tarifa në aktivitete përmbarimore
  • Tarifa në efikasitet të përformancës së përmbarimit

 

 

Cilat janë shpenzimet e përmbarimit dhe kush i mbulon?

Kur kreditori paraqet propozimin për përmbarim, përveç dokumenteve të nevojshme që duhet t’i parashtrojë në zyrën e përmbaruesit privat, duhet të paguajë edhe tarifën për administrimin e lëndës në përputhje me Udhëzimin Administrativ për tarifat. Kreditori paraprakisht paguan edhe tarifat tjera në aktivitete të cilat së bashku me tarifën për administrimin e lëndës rimbursohen në fund të procedurës nga debitori. Ndërsa tarifa në efikasitet të performancës së përmbarimit, mbulohet nga kreditori në bazë të marrëveshjes me përmbaruesin privat.

Debitori nuk është përgjegjës për çfarëdo kompensimi ose pagese të shpenzimeve të përmbaruesit privat nëse ato tejkalojnë shumat e definuar me tarifa.

A janë transparente tarifat e përmbaruesve?

Tarifat e përmbaruesve privatë janë transparente dhe shikimin e lartësisë së tyre secila palë e procedurës përmbarimore ka të drejtë ta kërkojë nga përmbaruesi privat.

Përmbaruesi privat përpilon pasqyrën e shpenzimeve për çdo lëndë përmbarimore, e cila tregon qartë se si janë llogaritur shpenzimet e ngarkuara palëve.

IV. MJETET JURIDIKE NË PROCEDURËN E PËRMBARIMIT

Cilat janë mjetet e rregullta juridike në procedurën përmbarimore?

Në procedurën përmbarimore mjetet e rregullta juridike janë prapësimi dhe ankesa.

Çka është prapësimi?

Prapësimi është mjet i rregullt juridik i goditjes, i cili mund të paraqitet kundër urdhrit për përmbarim me të cilin përmbarimi është i lejuar. Prapësimi duhet të paraqitet me shkrim në zyrën e përmbaruesit privat që e ka lëshuar urdhrin. Pas pranimit, përmbaruesi privat ia dërgon prapësimin palës kreditore për përgjigje në prapësim. Në këtë rast, përmbaruesi privat obligohet që në afat prej tre ditësh pas pranimit të përgjigjes në prapësim ose kalimit të afatit për përgjigje, ta dërgojë lëndën në gjykatën kompetente.

Kush mund ta paraqes prapësimin? A mundet personi i tretë të paraqes prapësimin?

Prapësimin mund ta paraqes debitori dhe personi i tretë.

Personi i tretë mund të paraqes prapësimin kur një person tjetër nga debitori pretendon se ka të drejtën lidhur me objektin e përmbarimit dhe mund ta paraqes prapësimin kundër përmbarimit, me kërkesë që përmbarimi të shpallet i palejueshëm në pjesën me të cilën është përfshirë e drejta e tij.

Çka është ankesa dhe kur mund të paraqitet?

Ankesa është mjet i rregullt juridik që palët mund ta parashtrojnë kundër vendimit mbi prapësimin. Ankesa kundër vendimit mbi prapësimin parashtrohet përmes gjykatës së shkallës së parë për gjykatën e shkallës së dytë, në afat prej shtatë ditëve nga dita e pranimit të vendimit të shkallës së parë. Ankesa kundër vendimit nuk e ndalon procedurën përmbarimore përveç nëse janë dhënë garancitë për shumën e plotë të kredisë. Në rast se debitori si palë ankuese është i suksesshëm në ankesën e tij dhe nëse pasuria e tij është përmbaruar në pajtim me vendimin përmbarimor, ai mund të kërkojë kundërpërmbarim sipas dispozitave të ligjit aktual.

Kush mund ta paraqes ankesën?

Ankesa mund të paraqitet nga palët ose personi i tretë kundër vendimit të gjykatës me të cilin ka vendosur për prapësimin. Po ashtu, vlen të përmendet që kundër urdhrit për përmbarim me të cilin refuzohet përmbarimi, kreditori mund të paraqes ankesë për gjykatën e shkallës së dytë.

A mund të paraqes pala kërkesë për korrigjimin e veprimit të përmbaruesit privat?

Pala ose pjesëmarrësi tjetër në procedurë nëse pretendon që përmbaruesi privat me veprimet e tij ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe ka shkelur të drejtat e tij ligjore, ka të drejtë që brenda afatit prej shtatë (7) ditësh nga dita e paraqitjes së parregullsisë, të paraqes kërkesë në gjykatë për korrigjimin e parregullsisë së pretenduar.

Çfarë është kthimi në gjendjen e mëparshme?

Kthimi në gjendjen e mëparshme është mjet juridik i cili është i lejuar vetëm në rastet e mos ruajtjes së afateve për paraqitjen e prapësimit dhe ankesës kundër vendimit të përmbarueshëm për përmbarimin me dhunë.

Cilat janë mjetet e jashtëzakonshme juridike në procedurën përmbarimore?

Ligji për procedurën përmbarimore nuk e lejon përdorimin e mjeteve juridike të jashtëzakonshme siç janë revizioni dhe përsëritja e procedurës. Ndërsa sa i përket kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë Ligji për procedurën përmbarimore hesht, andaj duke zbatuar nenin 17 të Ligjit për procedurën përmbarimore, që referon që përshtatshmërisht të zbatohet Ligji për procedurën kontestimore, nëse plotësohen kushtet ligjore për paraqitjen e këtij mjeti të jashtëzakonshëm juridik.

V. PROCEDURA E KUNDËRPËRMBARIMIT

Çka është procedura e kundërpërmbarimit?

Procedura e kundërpërmbarimit fillohet me propozimin e debitorit dhe njëherit paraqet të drejtën e debitorit që përmes gjykatës të kërkojë kthimin e asaj që i është marrë debitorit (apo ndonjë personi tjetër) përtej borxhit apo detyrimit të përcaktuar në dokumentin përmbarimor apo dokumentin e besueshëm.

Afati për paraqitjen e propozimit të kundërpërmbarimit është pesëmbëdhjetë ditë nga dita kur ka marrë dijeni për shkakun e kundërpërmbarimit, por jo më vonë se një vit nga dita e përfundimit të procedurës përmbarimore. Procedura e kundërpërmbarimit kryhet nga gjykata.

Kur dhe kush mund të kërkojë fillimin e procedurës së kundërpërmbarimit?

Nëse kreditori ka marrë më shumë sesa vlera e kredisë, përfshirë kostot e përmbarimit dhe kamatat, si dhe nëse përmbarimi i kryer në një objekt të përmbarimit është i palejuar, kur dokumenti përmbarimor me vendim të formës së prerë, është prishur, anuluar, ndryshuar, shfuqizuar, apo në formë tjetër është shpallur pa efekt juridik atëherë debitori ose person i tretë në procedurë ka të drejtë të paraqes propozimin për kundërpërmbarim.

Njoftimet
Njoftimet
Skip to content